Sigal Uniqa Liga Ballkanike (BIBL) është vetëm një xhiro nga fundi i fazës së parë.
Shumë gjëra tashmë janë të qarta, por ka edhe të tjera që pritet që të qartësohen në ndeshjet e fundit të pjesës së rregullt të edicionit në BIBL.
Në Grupin A, Beroe dhe Kumanova 100% janë kualifikuar për në fazën e dytë. Këto dy ekipe do të takohen të martën në Stara Zagora të Bullgarisë dhe skuadra që triumfon në këtë ndeshje do të përfundoj e para në grup.
Ndërkaq për dy vende të tjera për në fazën e dytë janë duke luftuar katër klube. Ndeshjet e tjera të xhiros së fundit janë Bashkimi-Teodo dhe Kozuv-Sigal Prishtina.
Cilado skuadër që fiton në duelin Bashkimi-Teodo do të kualifikohet tutje. Më pas nëse Kozuv-i e mposht Sigal Prishtinën në shtëpi të vet, gjithashtu do të vazhdoj tutje në Ligën Ballkanike.
Mirëpo nëse Teodo pëson disfatë nga Bashkimi, sërish ekipi malazez mund të kualifikohet, por se për të ndodhur kjo, Sigal Prishtina duhet të triumfoj ndaj Kozuv-it si mysafire me të paktën 11 pikë diferencë.
Tashmë është e qartë se kampionët në fuqi të BIBL-it janë në pozitë shumë të vështirë dhe shanset e tyre janë më se minimale për të vazhduar tutje. Së pari ata duhet të mposhtin Kozuv-in dhe më pas tri ekipet do të përfundojnë me bilanc të njëjtë, Prishtina, Kozuv-i, si dhe humbësi i ndeshjes Bashkimi-Teodo. Në të dyja rastet, pra ose Bashkimi ose Teodo të triumfoj, kampionët do të duhej të shënonin fitore me avantazh të thellë. Nëse Bashkimi humb në shtëpi, atëherë Sigal Prishtina duhet ta mposht Kozuv-in me 37 pikë epërsi në rast se e mendon kualifikimin tutje. Ndërsa nëse Teodo është skuadra humbëse, Prishtina duhet të triumfoj me 57 pikë dallim.
Situata në Grupin B është më e qartë, pasi që tashmë dihen se cilat janë katër klubet që do të vazhdojnë të bëjnë gara në fazën e dytë të Ligës Ballkanike.
Ndeshjet e xhiros së fundit të këtij grupi janë: Peja-Tirana, Karpos Sokoli-Feni Industries dhe Sutjeska-Trepca.
E vetmja pyetje është se cila skuadër do të përfundoj e para në grup, Peja apo Feni Industries. Verdhezinjtë kanë avantazh në ndeshjet e drejtëpërdrejta pas fitoreve me koshdallim të madh në takimet në shtëpi, që do të thotë se nëse ata e mposhtin Tiranën, do të përfundojnë të parët në grup. Sidoqoftë nëse Peja humb nga Tirana, atëherë Feni Industries duhet të shënoj fitore kundër Karpos Sokoli-t në Shkup nëse duan ta përmbyllin edicionin e rregullt në pozitën e parë në Grupin B.
Faza e dytë në Ligën Ballkanike do të nis më 31 janar dhe do të përbëhet nga dy grupe, C dhe D.
Në Grupin C do të vendosen ekipet që kanë përfunduar në pozitat 1 dhe 4 në Grupin A dhe skuadrat e vendit 2 dhe 3 në Grupin B.
Ndërkohë në Grupin D do të kemi pozitat 1 dhe 4 të Grupit B si dhe ato të vendit 2 dhe 3 të Grupit A.
Rezultatet ndërmjet klubeve që kanë qenë në të njëjtin grup në fazën e pare, do të llogariten për në të dytën, që do të thotë se secila skuadër do të luaj gjithsej nga 4 ndeshje.