Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot e ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Spitalin Amerikan si Partner zyrtar për shërbime shëndetësore. Në këtë mënyrë Spitali Amerikan është nominuar si Spitali Zyrtar i FBK-së.
Marrëveshja është nënshkruar në ambientet e Spitalit Amerikan në Prishtinë nga kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe Drejtori Ekzekutiv i Spitalit Amerikan, Dr. Novrus Caushaj.
Erolld Belegu, kryetar i FBK-së:
“Sot arritëm të nënshkruajmë një marrëveshje të bashkëpunimit për një segment të rëndësishëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës, pra shëndetësinë. Për ne si federatë është kënaqësi e madhe ta kemi një sponsor zyrtar si Spitali Amerikan, i cili në bazë të kontratës do të merr përsipër kontrollimet mjekësore të të gjitha Përfaqësueseve të të Rinjve si dhe të Kombëtares së Kosovës. Pra këtu do të kryhen të gjitha kontrollet e para mjekësore të basketbollistëve dhe basketbollisteve, ndërsa në rast lëndimi, atëherë lojtarët tanë do të kenë kurim falas në Spitalin Amerikan. Megjithatë ne shpresojmë se nuk do të kemi raste të tilla dhe se skuadrat tona do të jenë sa më pak të preokupuara në aspektin e lëndimeve. Ne aktualisht kemi filluar punën intensive me 5 Përfaqësuese, 2 në atë të femrave dhe 3 të meshkujve, pra rreth 100 basketbollistë/e janë duke stërvitur në Prishtinë për t’u përgatitur sa më mirë për Kampionatet Evropiane të Divizioneve të ndryshme, në të cilat do të marrin pjesë. Me Kombëtaren e Kosovës do të startojmë më 7 korrik me grumbullimin e parë dhe me një fjalë na pret një verë e nxehtë dhe e stërngarkuar me aktivitete, por ne si federatë jemi të gatshëm për të gjitha sfidat që na presin në ditët dhe muajt në vazhdim”.
Dr. Novrus Caushaj, drejtor ekzekutiv i Spitalit Amerikan në Prishtinë:
“Për ne është një kënaqësi e vërtetë që të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi me një institucion serioz dhe të rëndësishëm për sportin dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi, siç është Federata e Basketbollit e Kosovës. Ne do të jemi sponsori zyrtar i FBK-së dhe jemi në gjendje gatishmërie 24 orë për t’i shërbyer FBK-së, për gjithë atë që i nevojitet. Mirëpo ne shpresojmë se Përfaqësueset e Kosovës nuk do të kenë lëndime, por do të arrijnë të shënojnë rezultate sa më të mira. Politika e Spitalit Amerikan është që të investojë në arsim, sport e të tjera sfera të rëndësishme për shoqërinë, ndërsa kësaj here ne kemi vendosur që të jemi partner të FBK-së. Kontrata hyn në fuqi që nga sot dhe është njëvjeçare, por do të shohim që të vazhdojmë edhe për vite të tjera. Urojmë që FBK me Kombëtaren e Kosovës dhe me Përfaqësueset e gjeneratave të reja të na gëzojnë me rezultate sa më të mira në aktivitetet e tyre ndërkombëtare”.