Vendimi i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për formimin e Përfaqësueses A te femrat dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare po mirëpritet nga komuniteti i basketbollit.
Shumë basketbolliste e kanë pasur ëndërr që të luajnë për Kosovën, por për shkak të kushteve dhe mos pranimit në arenën ndërkombëtare nuk kanë arritur të realizojnë këtë ëndërr. Tashmë këtë mundësi e kanë gjeneratat e reja.
Njëra nga basketbollistet e gjeneratës së artë, Shemsije Stublla është shprehur se vendimi i FBK-së është i qëlluar dhe motivues për gjeneratat e reja. “Me siguri që ky duhet të jetë vendim i mirë dhe i mirëpritur nga të gjithë ata që e duan basketbollin. Posaçërisht mendoj se duhet të jetë motiv i madh për të gjitha vajzat kosovare që merren me këtë sport, për klubet, trajnerët dhe ata që janë duke punuar për ngritjen e nivelit të basketbollit të femrave në Kosovë. Shpesoj që vajzat tona të paraqiten sa më mirë në këto gara dhe ju uroj shumë suksese”, ka thënë Stublla për faqen zyrtare të FBK-së.
Duhet theksuar se Shesmije Stublla ka luajtur për Universitetin e Prishtinës deri në vitin 1989 për t’u transferuar më pas në Maribor. Ajo ka qenë lojtare aktive deri në vitin 2000, ndërsa tani jeton dhe vepron në Slloveni.
Kosova pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.
Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.
FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.