Dy ekipet, Sigal Prishtina dhe Peja që së bashku me Bashkimin dhe Trepcën pritet ta formojnë atë “katërshen e madhe” të Superligës së Kosovës në basketboll, do të luajnë ndeshjet e para të edicionit të ri 2016/17 të dielën dhe që të dyja me fillim nga ora 18:00.
Sigal Prishtina udhëton në Prizren për t’u ballafaquar me Bashkimin në “Sezai Surroi”, ku ashtu sic ka ndodhur sa herë janë takuar këto dy skuadra edhe kësaj radhe pritet që rivaliteti të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm. Që të dy klubet do të kërkojnë që ta nisin me këmbë të mbarë edicionin e ri, i cili ka plotë të panjohura tani për adhuruesit e basketbollit kosovar, pasi si Prishtina ashtu edhe Bashkimi kanë përbërje pothuajse krejtësisht të ndryshme prej një edicioni më parë. Ajo që vlen të përmendet është se ndryshimi më i madh është në shtabin teknik, pasi Petar Mijoviq, i cili në edicionin paraprak e ka udhëhequr Bashkimin, të dielën do të luaj kundër portokallinjve dhe do të kërkoj t’i mposhtë, pasi tani është në krye të shtabit teknik të bardhekaltërve.
Ndërkohë Peja udhëton në Therandë për t’u përballur me Golden Eagle Yllin dhe me përforcimet e paralajmëruara deri më tani, pritet që të kthehet më fitore, edhe pse therandasit nuk duhet nëncmuar për asnjë cast, aq më shumë kur luajnë para shikuesve të tyre.
Dy ndeshjet e tjera të Superligës së Kosovës janë zhvilluar tashmë, ku Trepca e ka mundur Vllaznimin, kurse Rahoveci ishte skuadër më e mirë se Kerasan Prishtina.