Të mërkurën me fillim nga ora 21:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren do të zhvillohet ndeshja e katërt finale e play-offit në IP Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës.
Aktualisht skuadra prizrenase është duke udhëhequr në seri 2:1 dhe kështu e ndan vetëm një fitore nga titulli i kampionit, që do të ishte i pari për të që nga paslufta.
Në ndeshjen e parë të luajtur në kryeqytet pati triumfuar Bashkimi, gjë që e kishte bërë edhe në duelin e dytë të luajtur në Prizren, derisa Sigal Prishtina u kthye në lojë në luftë për titull në ndeshjen e tretë të zhvilluar në fundjavën që e lamë pas në kryeqytet.
Sigal Prishtina është kampion në fuqi, derisa në këtë edicion e ka fituar Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në finale pikërisht Bashkimin.
Duhet theksuar se në rast se Bashkimi do të shpallet kampion i Kosovës, ky do të ishte trofeu i dytë i basketbollit që shkon në Prizren, pasi në konkurrencën e femrave ishin basketbollistet prizrenase ato që javë më parë u stolisën me titullin e kampionit, duke e kthyer kështu këtë trofe pas shtatë vjetësh në Prizren.
Kampionët e deritashëm:
1999/2000 Trepça
2000/2001 Trepça
2001/2002 Prishtina
2002/2003 Prishtina
2003/2004 Dukagjini
2004/2005 Mabetex
2005/2006 Prishtina
2006/2007 Prishtina
2007/2008 Prishtina
2008/2009 Prishtina
2009/2010 Prishtina
2010/2011 Prishtina
2011/2012 Trepça
2012/13 Peja
2013/14 Prishtina
2014/15 Prishtina
2015/16 Prishtina
2016/17 Prishtina
2017/18 ?