Trajneri i njohur amerikan, Tim Maloney do t’i bashkangjitet Përfaqësueses A të Kosovës në muajin korrik, kur edhe do të fillojnë përgatitjet për kualifikimet për Kampionatin Evropian. Kosova do të bëjë gara në Grupin E së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë.
Maloney do t’i ndihmoj Përfaqësueses sonë në cilësinë e këshilltarit nëpërmjet analizave të kundërshtarëve dhe përgatitjes kondicionale. Maloney do të qëndroj një muaj me Përfaqësuesen tonë.
Ai është kontaktuar nëpërmjet përzgjedhësit të Përfaqësueses A të Kosovës, Arben Krasniqi, i cili ia ka prezantuar Maloney-t planin dhe programin e tij të punës dhe më pas trajneri amerikan ka pranuar me plotë dëshirë duke marr parasysh faktin se bëhet fjalë për një Përfaqësuese të re dhe e papërvojë në gara të nivelit të lartë, siç janë kualifikimet për Eurobasket 2017.
Tim Maloney është drejtor i operacioneve të basketbollit në Universitetin Baylor në Waco të Teksasit. Ai ka eksperiencë 31 vjeçare në kolegjet e basketbollit në Divizionin e Parë, NCAA, me 10 paraqitje në turneun e NCAA.
“Për ne është kënaqësi e madhe ta kemi në Përfaqësuese një trajner të nivelit të Tim Maloney. Ai do të na ndihmojë shumë me eksperiencën e tij, sepse ne si skuadër e re kemi nevojë për më shumë ndihmë në aspektin e analizave të kundërshtarëve tanë, që do t’i kemi në kualifikimet për Evropian. Po ashtu Maloney do të na ndihmojë në ngritjen e formës së lojtarëve tanë në aspektin kondicional, si dhe do të na mbështesë edhe në forma të ndryshme në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për eliminatoret për Eurobasket 2017”, ka thënë Arben Krasniqi, përzgjedhës i Kosovës.