Basketbollistët e Trepcës janë mposhtur për herë të dytë nga skuadra e Tiranës në kuadër të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).
Mitrovicasit të mërkurën mbrëma kanë pësuar disfatë në palestrën e sportit “Minatori” me rezultat 68:74 (15:15, 18:24, 14:18, 21:17) në kuadër të xhiros së gjashtë të Grupit B në BIBL.
Ndeshja ishte shumë e barabartë dhe interesante, ku të dyja skuadrat luftuan për fitore deri në fund. Fituesi i takimit është vendosur në dy minutat e fundit, kur mysafirët ishin mjaft efikas, kurse nikoqirët nuk luajtën aq mirë sa duhet në fazën e sulmit.
Pas kësaj ndeshje të dyja ekipet tani kanë bilanc prej 2 fitore e 3 humbje në renditjen tabelarë të Grupit B të Ligës Ballkanike, ku Tirana të dyja fitoret i ka regjistruar përball Trepcës dhe tani është në avantazh. “Minatorët” të dyja triumfet i kanë arritur para tifozëve të tyre dhe kjo është humbja e parë që e kanë pësuar në shtëpi.
Javën tjetër Tirana është nikoqire e Pejës, kurse Trepca më 7 dhjetor do të ballafaqohet me Karpos Sokol-in në Shkup.
Më të dalluarit te Tirana ishin Manuel Johnson me 21 pikë, Endrit Hysenagolli me 17 pikë e 12 kërcime dhe Erkand Karaj me 17 pikë. Në anën tjetër te Trepca më efikasit ishin Montreal Scott me 19 pikë dhe Frederic Stutz me 16 sosh.