Trepca e ka nisur me këmbë të mbarë edicionin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll, pasi e ka mposhtur Vllaznimin me rezultat 103:75 në ndeshjen e zhvilluar sonte në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë.
Skuadra mitrovicase për edicionin e ri 2016/17 ka bërë investime dhe synon që të jetë njëra prej klubeve që do ta ketë fjalën kryesore në basketbollin kosovar, së bashku me Sigal Prishtinën, Pejën dhe Bashkimin. Këto katër ekipe që e përbëjnë “katërshen e madhe” në elitën e basketbollit kosovar, gjithashtu do të bëjnë gara edhe në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike.
Në anën tjetër skuadra gjakovare në këtë edicion ka startuar me përbërje të lojtarëve vendorë, dhe kjo nuk është e vetmja pasi të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Kerasan Prishtina dhe e inkuadruara në elitë, skuadra e Rahovecit.
Krahas ballafaqimit të sotëm në kuadër të xhiros së parë të Superligës do të zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera, ku të shtunën me fillim nga ora 20:15 në Therandë, Rahoveci e pret Kerasan Prishtinën, kurse të dielën në Prizren do të luhet derbi i rivalëve të vjetër, ku do të takohen Bashkimi-Sigal Prishtina me fillim nga ora 18:00, si dhe të njëjtin orar Golden Eagle Ylli është nikoqire e Pejës.