Ballafaqimi ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës që është zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën "Minatori" në Mitrovicë ka përfunduar me fitore të nikoqirëve me rezultat 84:83 (17:11,13:24,18:24, 27:16, 9:8) dhe atë vetëm pas vazhdimeve. Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së XX të Superligës së Kosovës në basketboll.
Trepça e ka nisur mirë ndeshjen dhe këtë e dëshmon edhe rezultati i çerekut të parë 17:11, por në dhjetëminutëshin e dytë ishte Sigal Prishtina ajo që tregoi një fytyrë krejt tjetër dhe kështu në këtë çerek bardhekaltrit realizuan 24 pikë, derisa kundërshtarin e ndalën në vetëm 13 sosh. Ekipet shkuan në pushimin midis dy pjesë lojëve me shifrat 30:35 në të mirë të kryeqytetasve. Edhe në dhjetëminutëshin e tretë ishin mysafirët ata që dominuan, derisa Trepça duket se e ruajti veten për çerekun e katërt, atëherë kur basketbollistët e kësaj skuadre “shpërthyen” dhe bënë që çdo gjë të jetë vështirë për Sigal Prishtinën. Kështu edhe ndodhi pasi ekipet nuk ia dolën që asnjëra prej tyre pas 40 minutave lojë të sigurojnë fitoren, pasi rezultati shënonte 75:75 dhe tani duhej të zhvilloheshin edhe 5 minuta shtesë për t’u përcaktuar fituesi në derbin e rivalëve të përjetshëm. Në këtë pjesë të lojës ishin vendasit ata që në sekondat e fundit e siguruan triumfin aq shumë të dëshiruar dhe atë me vetëm një pikë dallim, 84:83.
Më të merituarit për fitoren e Trepçës ishin Jeremy Wise me 26 pikë, 5 kërcime e 3 asistime dhe Samir Zekiqi me 24 pikë, 4 kërcime e 2 asistime.
Te Sigal Prishtina më të dalluarit ishin Drilon Hajrizi me 19 pikë, 10 kërcime e 5 asistime dhe Jabarie Hinds me 18 pikë.