Dueli ndërmjet Tiranës dhe Trepcës që do të zhvillohet të hënën në kryeqytetin shqiptar me fillim nga ora 19:00 do ta hap edhe edicionin e ri në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Për të dyja ekipet ky është viti i parë që do të marrin pjesë në BIBL, andaj edhe Tirana edhe Trepca do të kërkojnë një start pozitiv në këtë ligë.
Tiranasit në radhët e tyre kanë dy amerikanë, një malazez dhe një maqedonas, kurse në anën tjetër mitrovicasit në roster i kanë tre amerikanë, një malazez dhe një kroat.
Kjo ndeshje i takon Grupit B të BIBL-it, në të cilin merr pjesë edhe Peja, skuadër kjo që të mërkurën është nikoqire e Feni Industries nga Maqedonia.
Ndërkaq në Grupin A të BIBL-it luajnë kampionia në fuqi e kësaj lige, Sigal Prishtina dhe Bashkimi. Bardhekaltrit të mërkurën janë mysafirë të Beroe-s në Stara Zagora të Bullgarisë, ndërsa prizrenasit po të mërkurën në Gjevgjeli të Maqedonisë do të takohen me Kozuv-in.