Koordinatori i gjeneratave të reja në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), trajneri amerikan Chris Dial ka vazhduar me grumbullimet e Përfaqësueseve U-16 dhe U-18. Stërvitjet e radhës me këto dy gjenerata Dial i ka mbajtur të hënën në palestrën "1 Tetori" në Prishtinë. Të pranishëm në stërvitje të ndara ishin 60 djem, prej tyre 30 nën 16 vjeç dhe 30 të tjerë nën moshën 18 vjeçe.
Qëllimi i organizimit të këtyre grumbullimeve është përzgjedhja e basketbollistëve më të mirë për Përfaqësueset U-16 dhe U-18, me të cilat FBK synon që të marr pjesë në Kampionate Evropiane, në Divizionet përkatëse në vitin e ardhshëm. Që pas kthimit nga San Marino, ku Kosova U-16 është shpallur nënkampione e Kampionatit Evropian të Divizionit C kjo është hera e dytë që Dial organizon grumbullime për grupmoshat U-16 dhe U-18. “Nuk kemi kohë për të humbur, duhet të punojmë sa më shumë në mënyrë që të ndërtojmë Përfaqësuese të denja për Kampionatet Evropiane në Divizionet përkatëse. Me pjesëmarrjen në San Marino kemi mësuar shumë, tani e kemi një pasqyrë më të qartë, andaj me t’u kthyer nga ai Kampionat Evropian i jemi përveshur punës me këto dy gjenerata. Pas këtyre grumbullimeve do të pasojnë ato në fundjavë, ku sërish do të punojmë me këta djem”, është shprehur trajneri amerikan Dial.
FBK synon që vitin e ardhshëm të marr pjesë edhe me një grupmoshë në konkurrencën e femrave në gara që organizohen nga FIBA Evropa. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Dial që është koordinator për meshkuj dhe femra të gjeneratave të reja: “Shumë shpejt do të fillojmë edhe me grumbullimet e vajzave. Besoj se do të startojmë nga fundi i muajit shtator apo nga fillimi i tetorit. Tani për tani kemi mbledhur informata nga terreni dhe jemi në prag të hartimit të një plani të veprimit se si e shohim zhvillimin e Përfaqësueseve të femrave te grupmoshave të reja. Më pas do të fillojmë me punën me vajza. Unë me aq sa kam pasur rastin të shoh jam i sigurt se kemi vajza të reja, të cilat me punë dhe me përkushtim maksimal mund të bëhen basketbolliste cilësore”, ka përfunduar Dial.