Sot dhe nesër zhvillohen ndeshjet e xhiros XVII të ETC Superligës, pas së cilave do të kemi lider të qartë në tabelë dhe mund te kemi qartësim edhe më të madh të pozitave tjera.
Derbi pa dyshim është takimi ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës. Të dyja këto ekipe nga 15 ndeshje këtë sezon kanë nga 14 fitore dhe e kanë mposhtur njëra tjetrën nga një herë në duele direkte si vendës.
Sigal Prishtina është vendës në këtë ndeshje, por nëse shikohet forma e këtyre ekipeve kohëve të fundit ky fakt nuk do të thotë shumë.
Sigal Prishtina është në seri të humbjeve në ligën BIBL dhe garat e fazën e grupeve i përfundoi në pozitën e katërt në grupin B dhe pas shfaqjes dominuese kundër Vëllaznimit në ETC Superligë ndeshja me Pejën është testi i vërtetë për ekipin dhe trajnerin Ilevski për të parë nëse kriza ka kaluar.
Peja ndërkaq i ka punët më mirë se Sigal Prishtina meqë pritet të përfundojë në vendin e dytë ose të tretë në grupin A në ligën BIBL, mirëpo, ky ekip po ashtu ka pësuar në ndeshjen e fundit, madje para publikut të vet nga Rilski.
Kjo do të thotë se dy ekipet kosovare do të jenë pjesë e një grupi në fazën e dytë të garave në këtë ligë.
Peja për këtë ndeshje ka paraqitur lojtarin amerikan Jaleel Nelson, i njohur për publikun kosovar, ndonëse dokumentacioni për transferin e tij ende nuk është kompletuar dhe paraqitja e tij në ndeshje nuk është ende e sigurt.
Kjo ndeshje fillon në ora 20:15.
Në Suharekë po ashtu sonte takohen Golden Eagle Ylli dhe Kastrioti. Kastrioti këtë sezon e ka një fitore në 15 ndeshje dhe atë pikërisht kundër Golden Eagle Yllit, kurse trajneri i Kastriotit Jeton Nixha, suharekasit sivjet i ka mposhtur edhe si trajner i Vëllaznimit në duelin në Gjakovë.
Mirëpo, vendësit, në fundjavë e mposhtën Kosova e Re Bashkimin dhe janë shumë të motivuar që para publikut të vet të fitojnë dy ndeshje me radhë dhe të kërkojnë një pozitë që dërgon në plejof.
Ky takim fillon në ora 19:00.
Të enjten zhvillohen edhe dy takime tjera të xhiros XVI. Kosova e Re Bashkimi pas humbjes në Suharekë ka gjasa që t'i kthehet fitoreve meqë konsiderohet favorite në takim me Besën.
Kosova e Re Bashkimi në këtë ndeshje do të udhëhiqet nga Edin Kërveshi, i cili e morri pozitën e trajnerit pas përfundimit të bashkëpunimit të klubit me trajnerin malazias Miodrag Baletic.
Besa ka pësuar në xhiron XV ndaj Pejës, por reale është të besohet se ky ekip, që ka disa lojtarë të posa inkuadruar në përbërje do të luajë më mirë nesër dhe mbetet të shihet nëse mund të befasojë në Prizren.
Ky takim fillon në ora 19:00.
Të enjten luhet edhe ndeshja ndërmjet Trepçës dhe Vëllaznimit. Trepça vazhdon t'i zhvillojë ndeshjet në Drenas dhe pjesën e dytë të sezonit e vazhdon pa lojtarë të huaj, për shkak të vështirësive financiare.
Nëse shikohet tabela, mund të thuhet se këto dy ekipe së bashku me Golden Eagle Yllin janë në kërkim të pozitës së katërt në tabelë, kurse nesër kanë rastin që në duel direkt të tregojnë cilësinë e tyre të vërtetë dhe gjasat që të plasohen në plejof.
Dueli në Drenas fillon në ora 17:00.