Z Mobile Prishtina të martën mbrëma ka triumfuar ndaj Steaua Bucurestit në kuadër të Grupit E të FIBA Europe Cup.
Ndeshja e luajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në prani të rreth 2000 shikuesve dhe në një atmosferë fantastike ka përfunduar me shifrat 74:69.
Te Z Mobile Prishtina basketbollistët më të dalluar ishin Dardan Berisha me 16 pikë, kurse Demario Meyfield dhe Denis Krestnin kanë shtuar nga 15 pikë. Te mysafirët nga Rumania u dalluan Aleksandar Vlahovic me 26 pikë, derisa Anderi Mandache ka realizuar 13 pikë.
Bardhekaltrit në javën e kaluar me fitoren ndaj ekipit ukrainas Cherkaski Mavpy e ka siguruar kualifikimin tutje, duke zënë kështu vend në mesin e 16 skuadrave më të mira në FIBA Europe Cup.
Në xhiron e fundit të Grupit E, Z Mobile Prishtina do të ballafaqohet me liderin e këtij grupi, skuadrën nga Danimarka, Bakken Bears, njëherësh ekipi i vetëm që i ka shkaktuar humbje kryeqytetasve.
Ndeshja Z Mobile Prishtina – Bakken Bears do të luhet më 21 nëntor në Prishtinë.