Të enjten në zyret e Federatës së Basketbollit të Shqipërisë (FSHB) në Tiranë, është mbajtur takimi i parë i Bordit Drejtues të Ligës Unike.
Anëtarë të Bordit Drejtues të Ligës Unike janë: Shaqir Totaj, Edmond Biqoku, Elvira Dushku, Korab Llazani, derisa kryetar është zgjedhur Ilir Trebicka, një emër i njohur që ka dhënë shumë kontribut në basketbollin shqiptar.
Bordi më pas e emëroi drejtorin e Ligës, Dren Zatriqin, kurse Sekretar Teknik është zgjedhur Fidan Hamiti. Ndërkohë, Zyrtari i Marketingut do të jetë Dren Hasangjekaj, kurse Zyrtare e Financave, Nadire Kajashi.
Në këtë takim u zotuan se do të punojnë që kjo ligë të jetë sa më e suksesshme dhe interesante për publikun, klubet dhe adhuruesit e basketbollit.
Takimi i radhës i Bordit do të mbahet në Prishtinë, ku do të diskutohet për detaje tjera të Ligës Unike.
Ndërkohë, sonte në mbrëmje, nga ora 19:00 edhe zyrtarisht do të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.
I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.
Gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshje do të jetë edhe Presidenti i FIBA Europës, Turgay Demirel.
Demirel, i cili vitin e kaluar kishte qenë në Kosovë për të ofruar përkrahje për basketbollin e Kosovës, do të mbajë një fjalim në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për të treguar se e përkrah Ligën dhe do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme.
Liga do të ketë tetë skuadra. Katër më të mirat nga Kosova dhe Shqipëria.