Ekipi i Pejës duket se këtë vit nuk po dallon shumë sa i përket mënyrës së lojës në ligën ballkanike BIBL. Edhe në ndeshjen me Rilskin si vendës, pejanët në fund nuk arritën të veprojnë si duhet në rezultat të ngushtë dhe pësuan humbje me 2 pikë dallim 91:93.
Ndeshja u përshkua me rezultat të ngushtë dhe me shënime të shumta të të dyja ekipeve për tri pikë.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat 41:44 dhe përgjatë 20 minutave te të dy ekipet rezultati vazhdimisht ishte i ngushtë.
Peja e kishte rastin vendimtar për të kaluar në epërsi 13 sekonda para fundit por Shaptahoviq nuk shënoi për treshe, kurse në sekondat e fundit ekipet ishin të sakta në gjuajtje të lira dhe Rilski fitoi me dy pikë dallim.
Ekipi bullgar në këtë ndeshje shënoi 17 treshe dhe 16 gjuajtje të lira nga 17 tentime dhe pikërisht efikasiteti në këto dy segmente u dha atyre fitoren.
Për Pejën, që në ndeshje shënoi 13 treshe, prej të cilave 6 i shënoi Shaptahoviq i cili ndeshjen e përfundoi me 33 pikë, ky ishte një zhgënjim i dyfishtë.
Përveç humbjes nga Rilski, tifozët pejanë duhet të përballojnë edhe faktin që Samir Shaptahoviq po e braktis basketbollin.
Shaptahoviq, 34 vjeçar do të kthehet në SHBA për të jetuar me familje dhe largimi i tij nga ekipi i Pejës është pa dyshim goditja më e rëndë që e ka pësuar ky ekip në vitet e fundit.