Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës që është duke u mbajtur në Maltë ka votuar në mënyrë unanime për pranimin e Kosovës në FIBA Evropë. Ashtu siç edhe pritej, FIBA Evropa e ka zyrtarizuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) si anëtaren e saj të 52-të, pasi FIBA e kishte pranuar Kosovën si anëtare në muajin mars të këtij viti.
Në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës, FBK-ja përfaqësohet nga kryetari, Erolld Belegu dhe nga anëtari i Bordit, Arben Fetahu.
Në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës përfaqësuesit e federatave anëtare janë njoftuar për zhvillimet rreth riorganizimit të garave evropiane në nivel të klubeve, ndërsa vendimin do ta merr Bordi i FIBA Evropës kur të përfundojnë diskutimet me drejtuesit e Euroligës, Eurokupës, Federatave etj. Për Euroligë janë propozuar 9 modele, kurse për Eurokupë 2. Në të dyja opsionet hapet rrugë për para dhe kualifikime për të gjitha federatat/klubet.
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FIBA Evropës kanë filluar sot dhe do të përfundojnë nesër.